Topi i Artë? Saki i kujton Van Dajkut “ një farë” Franko Barezi!

Mbrojtës të mëdhenj ka pasur plot, por ai ishte ndër më të mirët, pa asnjë dyshim. E megjithatë, as Franko Barezi nuk e fitoi dot Topin e Artë, diçka që për një mbrojtës do ta bënte vetëm “Kaizeri” Franc Bekenbauer. Lideri i Italisë dhe i Milanit nuk ia doli në vitet e Van Bastenit, Gulitit, Rajkardit, apo Mateusit, pa llogaritur Maradonën e legjendat braziliane që nuk ishin pjesë e çmimit.

Arrigo Saki e kujton sot këtë humbje të futbollit, duke i dhënë një përgjigje Virgil Van Dajkut, mbrojtësit të madh të Liverpulit, që doli i dyti në renditjen e Topit të Artë pas Lionel Mesit. Holandezi cilësohet sot gjerësisht si mbrojtësi më i mirë i botës. “Mendoj se podiumi ishte i drejtë, – tha Saki, – mjafton të shikoni 3 kampionët që konkurruan. Shumëkush donte që trofeun ta fitonte Van Dajku, ai pati një sezon të jashtëzakonshëm. Barezi e meritoi çmimin gjithashtu, por nuk e fitoi dot. Ai ishte një mbrojtës në vitet kur lojtarët e sulmit shkëlqenin dhe u shpërblyen para tij”.

Sfidanti.al