Konte, betejë me “sirenat”: Kemi fituar shumë, rrezikojmë vetëkënaqësinë!

Armiku më i madh i një skuadre të fuqishme është vetvetja. Këtë aksiomë futbolli, Antonio Konte e di shumë mirë, aq më tepër tani në rolin e trajnerit. Pas 7 fitoreve radhazi, tekniku i Interit paralajmëron lojtarët e tij se ky është momenti më i keq, dhe më i mundshëm për të pasur vetëkënaqësi, pra edhe për të prishur shumëçka është ndërtuar deri tani. Të dielën luhet ndaj SPAL-it, pak ditë pas fitores 3-1 në fushën e Sllavias së Pragës që dha shpresa për kualifikim në Champions.

“SPAL luan me taktikën tonë, dhe kjo e bën të papërshtatshme, edhe pse është në vendin e 19-të në renditje, – thotë Konte, – duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse mund të na hyjë vetja në qejf pas suksesit në ndeshje kaq të rëndësishme siç ishte ajo ndaj Sllavias. Kjo nuk duhet në asnjë mënyrë që të ndodhë, dhe do të zhgënjehesha shumë nëse do të na ngjante kështu”. Interi ka një pikë më pak se Juventusi në Serinë A, ndërsa Konte kërkon edhe më shumë nga dy sulmuesit e tij të shkëlqyer, Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku. “Ata janë të mrekullueshëm sepse shënojnë gola, por duhet të bëjnë edhe më shumë në lojën pa top”, – ishte porosia e trajnerit.

Sfidanti.al