Pep, përse po e dorëzon titullin Mançester Siti yt i shkëlqyer?!

Pyetja më normale nga gazetarët dhe analistët ishte kjo: “Mos vallë, kampionët po dalin nga gara për të mbrojtur kurorën e fituar vjet”? Kanë të drejtë të kërkojnë një sqarim nga Pep Guardiola, pas barazimit 2-2 të Mançester Sitit në fushën e Njukasëllit, rezultat që i la “Qytetarët” shumë prapa kreut të renditjes. Edhe pse kaloi dy herë në avantazh, me anë të Rahim Stërlingut (22’) dhe Kevin De Brujnit (82’), sërish Siti nuk u duk si pretendenti për titull, që jemi mësuar ta shohim. Edhe po të kishte fituar, nuk do të ishte dukur ashtu. Njukasëllit barazoi dy herë, fillimisht me anë të Xhetro Uilliamsit (25’) dhe pastaj falë ish-lojtarit të Liverpulit, Xho Shelvi në 88’.

“Ne nuk dorëzohemi, – tha Guardiola me besim edhe pas barazimit, – kampionati është i gjatë dhe mundësitë janë. Veçse, ne duhet të gjejmë vetveten, të gjejmë atë që na ka humbur. Kjo është gjëja më urgjente për ne, jo të mendojmë për fitoren e titullit”. Sezonin e kaluar, Siti fitoi çdo ndeshje në Premier pas humbjes në Njukasëll, por këtë herë duket se asgjë nuk do ta ndalojë Liverpulin të fitojë titullin kampion pas 30 vitesh.

Sfidanti.al