Matiç dhe lutja për Shqipërinë, njëlloj si Gjokoviç e Balasheviç!

Kur Kroacia arriti deri në finalen e Kupës së Botës në Rusi, tenisti më i mirë i Serbisë, dhe në atë kohë më i miri i botës, përgëzoi hapur yjet kroatë, duke i uruar për suksesin, e duke postuar foton e dalë me ta. Pavarësisht ndonjë reagimi nacionalist nga Serbia, gjesti i “Noles” bëri përshtypje të madhe, ashtu siç bën sot edhe reagimi i futbollistit të kombëtares së Serbisë, Nemanja Matiç, për viktimat e tërmetit në Shqipëri.

“Lutemi për Shqipërinë”, ishte teksti i hedhur në “Instagram” nga ylli i Mançester Junajtidit, duke iu bashkuar një fushate të madhe pikërisht nën temën “lutemi për Shqipërinë”. Të gjithëve besohet se i kujtohet sjellja e tij shumë e mirë, ashtu si edhe e kapitenit Branisllav Ivanoviç, kur kombëtarja shqiptare u ndesh me atë serbe. Veprimi i Matiçit, dhe më parë ai i Gjokoviçit, ngjan me sjelljen e këngëtarit të shquar serb, Gjorgje Balasheviç, i cili doli në mbrojtje të qytetit kroat të Vukovarit dhe të Sarajevës, të sulmuara nga forcat ushtarake ish-jugosllave dhe serbe, ndërsa akuzoi regjimin e Sllobodan Millosheviçit me këngët dhe koncertet e tij, brenda në Beograd.

Sfidanti.al