Mos u habisni, e dini se Liverpuli është “gjahtari i minutave të fundit”

Kur fitoret bëhen radhazi, ato kthehen edhe në një rutinë të mërzitshme. Edhe pse nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, lodhja dheë rraskapitja bëjnë të vetën, diçka që e ndjeu edhe Liverpuli në fushën e Kristël Palasit. Londinezët bënë maksimumin për të thyer kryesuesit e Premier Ligës, të dëshiruar për të qenë lajmi i parë në mediat britanike, dhe pse jo në ato europiane, dhe kjo thuajse ia prishi mbrëmjen të besuarve të Jurgen Klopit.

Sidoqoftë, u arrit një fitore e pabukur, me dy gola të rrëmujshëm, ndaj një kundërshtari që padyshim meritonte më shumë. Por, ja pra që fati ndihmoi më të fortin, madje edhe kur Uinfrid Zaha humbi një gol të sigurt në sekondat e fundit. Liverpuli fitoi 2-1, pasi Kristël Palasit iu anulua një gol për faull në pjesën e parë. Sadio Mane kaloi në avantazh kampionët e Europës, me të nisur pjesa e dytë, por Zaha barazoi meritueshëm. Fitorja erdhi sërish në fund, siç e ka bërë traditë skuadra e Klopit, me Roberto Firminon që goditi në të 85-ën. Liverpuli kryeson Premier Ligën me 37 pikë në 13 ndeshje, pra me 12 fitore e vetëm 1 barazim, ndaj 29 pikëve të Leisterit.

Sfidanti.al