Ishte një duel që do të tregonte shumë. Los Anxhelos Klipersi ndaj Hjuston Rokitsit do të thotë një përplasje kreu në Konferencën Perëndimore në NBA, dhe u luajt pikërisht kështu në “Stejpëlls Sentër”. Një sfidë që nuk deshi ta njihte fituesin deri në fund, dhe ku u ndeshën yje të tillë si Koui Leonard e Pol Xhorxh nga vendasit, me Xhejms Hardenin e Rasëll Uestbrukun nga miqtë.
Klipersat fituan pikërisht në sekondat përmbyllëse me tri pikë diferencë, 122-119, ndërsa epilogu ishte dramatik. Hjustoi ishte 5 pikë në epërsi kur duhej 1 minutë deri në sirenë, por në parket ishte treshja me përvojë, Leonard-Xhorxh-Uilliams. Ata realizuan një rezultat të pjesshëm 10-2 për vendasit, që përcaktoi edhe ndeshjen.
Leonard shënoi 24 pikë, kapi 6 topa në tabela, shërbeu 3 asistë dhe vodhi 3 topa. Xhorxh e ndihmoi me 19 pikë, 8 topa në tabela e 7 asistë, por gaboi shumë në gjuajtje. Realizuesi më i mirë ishte ai që pritej, Harden, që pati 37 pikë, dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 8 topa në tabela e 12 asistë. Uestbruk, mjeshtri i tripëll dabëllit, duket se ia ka lënë protagonizmit kapitenit të tij, dhe këtë herë u mjaftua të bënte më pak, përfshi 22 pikë.
Dueli në Los Anxhelos tregoi sërish se do të ketë një luftë të ashpër në Perëndim për titullin e Konferencës dhe titullin në NBA, mes Klipersave, Lejkërsave dhe Hjustonit.
Sfidanti.al