“Psiko” Jurgen Klop tregon sekretin tek Liverpuli: Psikologjia!

I është thënë me shaka se është një “psikopat”, ndonëse Zhoze Murinjo një herë e quajti “adoleshent” për sjelljen që bën pranë vijës anësore gjatë ndeshjeve. Jurgen Klop e njeh veten aq mirë sa të tregojë sekretin e sukseseve të tij tek Liverpuli, dhe nuk ngurron ta bëjë. Fjala kryesore është BESIMI.

“Nëse nuk ke besim nuk mund të fitosh, – shprehet trajneri gjerman, – gjithçka ka të bëjë me këtë. Aspekti psikologjik, besimi është kryesor. Kjo, sidoqoftë, nuk ndodhi për 5 minuta, ne e kemi nisur këtë rrugë shumë kohë më parë, por unë kam qenë i rezervuar për të folur, sepse asgjë nuk është e sigurt, mundet që edhe ta humbasësh. Natyrisht, ne kemi punuar shumë nga ana fizike, teknike dhe taktike, dhe për lojën kolektive. Nëse luan mirë, rezultati vjen”.

Liverpuli ka humbur vetëm 1 ndeshje në Premier Ligë në 51 ndeshjet e fundit, dhe ka përmbysur rezultatin 10 herë këtë sezon, kur ka qenë në humbje. Asnjë skuadër tjetër nuk e ka bërë dot këtë gjë.

Sfidanti.al