Kartoni i tij ka mbërritur në gati 100 milionë euro, dhe ndoshta mund të rritet edhe më shumë. Erling Braut Haland mund të jetë objektivi i shpejtë i Mançester Junajtidit që kërkon të ngrejë kokë sa më shpejt në Angli dhe në Europë. Kuptohet, Ole Gunar Solskjer beson se “djajtë e kuq” do të jenë të fortë edhe pa norvegjezin, por do të jenë më të mirë duke e pasur në përbërje gjigandin që cilësohet “burri-fëmijë”.
Sulmuesi i Salcburgut, që është rritur sipas modelit të Zllatan Ibrahimoviçit, ka shënuar 26 gola në 18 ndeshje për kampionen e Austrisë, dhe në moshën 19-vjeçare pëlqehet shumë në Europë. Solskjeri e ka ndjekur nga afër patriotin e tij dhe mund ta bëjë lëvizjen që në janar. Besohet se Halandi di të luajë stilin që i pëlqen trajnerit, me presion të lartë ndaj mbrojtjeve, dhe forca fizike mund ta ndihmojë të ketë sukses në Angli.
Sfidanti.al