Dëmtime, pezullim e refuzim, kombëtarja në hall para Andorrës e Francës!

Po ndihemi keq në momentin që e quanim më të mirin. Edoardo Reja po numëron lojtarët që ka në dispozicion dhe nuk po i dalin llogaritë për duelet kundër Andorrës e Francës. Përveç dëmtimeve e pezullimit, ja ku kemi problem edhe refuzimin e Taulant Xhakës, i cili ishte thirrur nga italiani. Burime në kombëtare raportojnë se mesfushori i Bazelit nuk ka pranuar të paraqitet, siç duket i ofenduar që është lënë jashtë ekipit kohët e fundit.

Të dëmtuar ka disa si Mavraj, Sadiku, Kumbulla e Cikalleshi, duke sjellë probleme në formacion, por edhe në stolin e rezervave. Mungesë shtesë është ajo e Klaus Gjasulës në mesfushë, i cili është i pezulluar për Andorrën, por që do të jetë i gatshëm për Francën. Ndër lojtarët e thirrur, portierët Berisha e Strakosha kanë kaluar problemet fizike, dhe po ashtu i gatshëm duket edhe sulmuesi Bekim Balaj, që fillimisht bëri stërvitje individuale. Shqetësim ka për Ledian Memushajn, i cili ka qenë me gjendje gripale, por edhe ka marrë një goditje në brinjë.

Duket se Reja po kristalizon formacionin anti-Andorrë, ku pritet të ketë ndryshime, me gjasë për të kursyer forca edhe për Francën. Lojtarë si Hysaj apo Dermaku pritet ta nisin nga stoli sfidën e eleminatoreve të Europianit. Një e papritur e madhe mund të jetë debutimi si titullar i debutuesit Florian Kamberi, që mund të luajë në krah të Manajt në sulm. Kombëtarja zhvillon përgatitjet e fundit për ndeshjen e kësaj të enjteje në orën 20:45 në “Elbasan Arena”, ndërsa synon të marrë tripikëshin për të arritur vendin e tretë në grup.

Sfidanti.al