Hansi si Jup Hajnkesi, çfarë komplimenti për trajnerin e Bajernit

Fjalët e mira erdhën nga brenda shtëpisë. Në Mynih nuk kanë hequr ende “rrobat e zisë” për largimin e Niko Kovaçit, kur menjëherë ka nisur “festa” për trajnerin e ri. Një nga pjesëtarët e stafit teknik, ndihmëstrajneri Herman Gerland, bën një krahasim që padyshim do t’i pëlqejë shumë Hansi Flikut. “Ai më kujton Jup Hajnkesin, – tha 65-vjeçari Gerland, – ai flet me kujdes me lojtarët, është i sjellshëm me ta, dhe u tregon me qetësi gabimet që mund të kenë bërë”.

Një krahasim që nuk bëhet dot lehtë pasi Jup Hajnkesi ka status “kulti” në “Alianc Arena”. Ai ka qenë 4 herë trajner i Bajernit, duke fituar kurorën e trefishtë në 2013, pra Championsin, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Po ashtu, në 2018, kur zëvendësoi Karlo Ançelotin, fitoi Bundesligën e Kupës, dhe u eleminua në mënyrë të padrejtë në gjysmëfinalen e Championsit nga Reali i Zidanit. Gerlandi, i mbiquajtur “Tigri”, vlerëson Flikun duke thënë se “Hansi është një specialist, pasi ka qenë lojtarë këtu, ndihmëstrajner, tani është kryetrajner për dy ndeshje”. “Le të shikojmë sesa gjatë mund të vazhdojë”, – thotë veterani.

Sfidanti.al