Prej kohësh cilësohen si më të mirët në Gjermani, dhe në kryeqytet thyen rekordet. Plot 30 000 tifozë të Dinamos së Dresdenit ishin të pranishëm në “Olimpiashtadion” të Berlinit, në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë ndaj Hertës vendase. Në një stadium të mbushur me 70 000 spektatorë, miqtë ishin gati gjysma, dhe skuadra e tyre u përpoq t’ia shpërblente siç e meritonin.
Dueli ishte i zjarrtë dhe përfundoi 3-3, pas 120 minutave, ndërsa 90 minutat e kohës së rregullt dolën 2-2. Ata 30 000 dresdenas u hodhën përpjetë në minutën e fundit kur Patrik Ebert barazoi për 2-2, veçse penalltitë dolën të hidhura. Herta fitoi 5-4, dhe duhet thënë që e meritoi kualifikimin për në të tetat e finaleve. Gjithsesi, ndeshjen në tribuna e fitoi padyshim Dinamo e Dresdenit, një ish-skuadër e famshme e Gjermanisë Lindore, që mezi po e gjen veten në Gjermaninë e bashkuar.
Sfidanti.al