NBA mund të jetë sot “zotërimi” i Koui Leonardit, ndërsa të tjerë t shkëlqyer si Harden, Durant, Kërri, Uestbruk apo Irving mund të kenë pretendime për “fronin”. “Mbreti”, gjithsesi, ende quhet Lebron Xhejms. Superylli që ka dominuar dekadën e fundit tregoi se mbetet në nivelet më të larta, ndërsa Lejkërsat arritën fitoren e parë të sezonit, në ndeshjen e parë në shtëpi.
Suksesi ndaj Juta Xhazit nuk është se ishte i shkëlqyer, pasi u shënuan pak pikë (95-86), veçse Lebroni ishte në një kulm. Shënoi 32 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 10 pasime për kosh. Ishte i saktë në gjuajtjet për 2 pikë dhe gjuajtjet e lira, ndërsa gaboi më shumë nga distanca. Padyshim, Xhejmsi pati meritë duke ndihmuar edhe yllin e ri të ekipit, Entoni Dejvisin , që shënoi 21 pikë dhe kapi 7 topa në tabela. Dejvis shkëlqeu sipas mënyrës së tij, me 2 vjedhje dhe 5 bllokime gjuajtjesh, por pjesa tjetër e skuadrës së Lejkërsave nuk ishte në nivelin që kërkohet. Sidoqoftë, me një Lebron të tillë pretendimet për titull mund të ekzistojnë.
Sfidanti.al