Akili e kishte problemin tek thembra (po të besojmë legjendën e Homerit), ndërsa futbollit profesionist, si çdo gjë “profesioniste” ditët e sotme e ka problemin tek lakmia. Llogaria në bankë dëshirohet të rritet e të rritet pa fund, por bashkë me të vjen “barra” e pashmangshme, përdorimi i profesionistit sikur të ishte një arushë e cirkut.
Këtë shqetësim e shprehu Maurisio Poçetino, trajneri i Totenhemit, që tregoi sesa të vështirë e ka punën e tij, ndërsa një kamera e Amazonit e ndjek hap pas hapi (ligjërisht, jo e fshehtë), pasi klubi ka firmosur kontratë për një dokumentar. Përse? Sepse një dokumentar i Amazonit do të thotë miliona paundë stërlina, pra fitime, fitime, fitime, diçka pa shpirt dhe pa kuptim, por që mbetet thelbi i jetës moderne.
“Nëse do ta kishim nisur sezonin më mirë, do ta kisha pasur më të lehtë, – u shpreh trajneri, – por, në këtë situatë, nuk është e lehtë të punosh kur ke një kamera pranë teje, në çdo moment”. Poçetino ndoshta e ndjen këtë, ndoshta ai është gati të sakrifikojë nga rroga e tij për të mos e pasur kamerën pranë, por padyshim klubi nuk ka ndërmend ta dëgjojë, madje mund ta shkarkojë për të vazhduar punën me kamerën e Amazonit. Ditët e sotme flasim shumë për “privatësinë” e njeriut, por ndoshta do të vijë dita që kontrata të ketë klauzolë, që kjo privatësi të zhduket edhe jashtë profesionit, edhe në jetën vërtet individuale, familjare e shoqërore.
Sfidanti.al