Nuk tregon ndonjë gjë shumë të mirë kur një trajner kthehet në analist televiziv, por për momentin ai nuk ka punë tjetër për të bërë. Zhoze Murinjo, një nga emrat më të shkëlqyer të trajningut, është në një pozicion pak të vështirë dhe jonatyral, duke dhënë opinione për kolegë e futbollistë. Natyrisht, mendimet e tij janë shumë të vlefshme, si një ekspert futbolli, aq sa ndonjëherë mendohet që ai mund të jetë më i zoti sot si analist sesa si trajner.
“Mendoj se Klopi nuk e pëlqeu menunë e sotme, – u shpreh Murinjo, – ai priste gjellë me mish, por mori peshk. Junajtidi e bllokoi, megjithë limitet që ka për momentin, duke luajtur me 5 mbrojtës, dhe duke mos lejuar kalimin nga mbrojtja në sulm me shpejtësi. Liverpuli nuk pati cilësinë e duhur për t’iu përgjigjur një stili të tillë. Të kuptohemi, Liverpuli ka rezultate fantastike me shumë fitore, por has në vështirësi kur luan ndaj ekipeve që mbrohen”.
Murinjo pati disa fjalë edhe për ish-lojtarin e tij, Markush Rashford. “Nuk mendoj se ai mund të përmirësohet më shumë përpara portës, – theksoi portugezi, – ai është më shumë lojtar për lëvizje, sesa për të shënuar. Nuk mendoj se mund të arrijë ndonjëherë në 30 gola në një sezon. Kur isha unë trajner, luaja me Lukakun dhe Rashfordin. Në pozicionin që ishte sot, do të jetë shumë i vlefshëm për ekipin, por nuk mund të përmirësohet më shumë si golshënues”.
Sfidanti.al