Protestat në Katalonjë “ngrenë në ajër” “El Klasikon”, ku do luhet në 26 tetor?!

Edhe pse jo si më parë, sërish cilësohet kryendeshja e botës. Gjithsesi, edhe një spektakël i pamasë si Barcelona-Real Madrid mund të vihet në pikëpyetje, aq sa nga autoritetet e Ligës spanjolle të futbollit është kërkuar një ndryshim. Të mos luhet në stadiumin katalanas “Kamp Nou”, por të zhvendoset për fazën e parë, në impiantin “Santiago Bernabeu” të Madridit.

Përse kjo kërkesë kaq urgjente? Shqetësimi është i madh nga protestat e ashpra në Katalonjë pas dënimit me burgime të gjata nga drejtësia spanjolle, e politikanëve katalanas që organizuan referendumin për pavarësi dy vjet më parë. Ekziston frika, jo pa bazë, se një duel si “El Klasiko” mund të shfrytëzohet për trazira që të dalin jashtë kontrollit të forcave të rendit, e madje të ndodhin edhe në “Kamp Nou”, ku mbrëmjen e 26 tetorit pritet të jenë gati 100 000 tifozë.

Asnjë polici apo forcë sigurie nuk mund të përballojë një shifër të tillë, nëse vendos të protestojë apo të shkaktojë trazira. Po ashtu, ka druajtje sepse Reali do të shkojë në Barcelonë një ditë para ndeshjes, e do ta kalojë natën aty, gjë që mund të shoqërohet me protesta përpara hotelit, dhe rrezik për jetën apo shëndetin e skuadrës.

Gjithsesi, përgjigja e parë për kërkesën e ligës së futbollit ka ardhur, dhe ajo është negative. Presidenti i Barçës, Bartomeu, dhe ai i Realit, Florentino Perez, e kanë hedhur poshtë mundësinë e një ndryshimi. Katalanasit shprehen se ndeshje të tilla janë luajtur edhe kur gjendja ka qenë më e keqe. Në Madrid, gjykojnë se nëse do të ketë rrezik, ndeshja duhet shtyrë, dhe jo të ndryshohet stadiumi. “El Klasiko” i 26 tetorit parashikohet të luhet në mënyrë të pazakonshme, në orën 13:00.

Sfidanti.al