Formula 1 dhe regbi? Tokio “qiras” me tajfun dhe tërmet 6 ballë!

Sporti është i detyruar t’i lëshojë rrugë natyrës, të paktën për nja dy ditë (me shpresë që të mos egërsohet edhe më tej). Japonia duhej të ishte qendra e dy sporteve botërorë si Formula 1 dhe regbi, por të gjithë kanë vrapuar nëpër shtëpi e strehime për t’u mbrojtur. Tajfuni ka goditur Japoninë, diçka e paralajmëruar, dhe më së shumti po vuan Tokio, me 1 metër shi që ra për 24 orë, dhe me erëra me shpejtësi 220 km në orë.

Nëse tajfuni dihej, ndonëse jo aq i ashpër, pati edhe një “tekë” tjetër të natyrës, një tërmet. Lëkundja në Tokio ishte me forcë 5.7 të shkallës Rihter, apo gati 7.5 ballë, pak a shumë sa tërmeti që ra në Durrës e Tiranë pak javë më parë. Ndeshjet e Kupës së Botës së regbisë u detyruan të ndalen, dhe po ashtu provat zyrtare të Çmimit të Madh të Japonisë në Formula 1 nuk u zhvilluan të shtunën. Gati gjysmë milionë njerëz u zhvendosën nga banesat, ndërsa mijëra shtëpi në Tokio mbetën pa energji elektrike.

Sfidanti.al