Cila është një nga arsyet që humbja në Turqi la shenjë disi ndryshe nga humbjet e tjera. Sapo bën këtë pyetje, të kujtohen rastet flagrante të sulmuesit Manaj. Pale ai para portës, kur nga ekrani dukej sikur mund të bëhej edhe me sy mbyllur. Prapë, nuk është Manaj fajtori i vitrinës për humbjen. Mos vallë portieri Strakosha,që gjeti momentin më tragjik, më të pamerituar për ekipin e tij, për të bërë daljen nga ..”fiqiri” dhe jo nga porta, siç thuhet rëndom. Jo as Strakosha nuk është fajtori i parë i kësaj humbjeje, të cilëm e futëm shpejt e shpejt tek muzeu i humbjeve dinjitoze. Atëherë, fajin.. mos e ka trajneri Reja, që tamam para ndeshjes me “ushtrinë” turke, gjeti momenti për të festuar me tortë dhe me fjalime ditlindjen e tij të 74 –t? Po të marrim borxh shprehjen e njohur të një filmi, mund të lëshonim romuzin pikant : “ Kohë të mirë gjete për dasëm , o Safa Ymeri “.
As Edi Reja nuk mban peshën e fajit për atë që ndodhi në Stamboll, tamam në ditën e gabuar. Që humbja u përjetua më shumë se humbje, fajin e ka i gjithë grupi kuqezi, nga koka deri tek..këmbët që luajnë në fushë. Na thanë se është një ndeshje finale, na mbytën me premtime se do të luanim vetëm për të fituar dhe harruan të betoheshin vetëm për një gjë të vogël : këtë herë nuk do t’i bënin dhurata turqve, siç ndodhi në ndeshjen e parë me Turqinë. Atë ndeshje, ku gabimet kishin shije karameleje për Edi Rejën, tifozin që kishte ardhur nga Italia, që besonte se çunat dinin të gabonin vetëm kur ne stol ishte Panuçi…
Sfidanti.al