Kombëtarja dhe humbjet e minutave të fundit, një ves që nuk na hiqet!

Pak rëndësi ka, kur kemi luajtur. Nëse kombëtares shqiptare i duhet veçuar minusi më i madh, ai duhet të jetë pësimi i humbjeve në minutat e fundit. Një e metë që nuk pa për herë të parë këtë mbrëmje tetori në Stamboll, dhe që fatkeqësisht do të duhet ta shohim përsëri.

Nëse kemi qenë në 1983 apo në 2019, në eleminatore Europiani e Botëror, apo në finalet e Europianit, dallimi ka qenë i vogël, thuajse i papërfillshëm. Pak rëndësi nëse në stol ka qenë një trajner shqiptar, me rrogë të vogël e përvojë të kufizuar, apo një teknik i huaj, shumë më i njohur në botë.

Kush e harron disfatën me Francën në Euro 2016, kur Antuan Grizman realizoi pikërisht në fund, në “Stadë dë Frans” të Parisit. Po dështimin zhgënjyes me Portugalinë në eleminatoret e po atij Europiani, në “Elbasan Arena”, kur pësuam ndërsa ndeshja thuajse po mbyllej? E njëjta gjë, ndaj Serbisë në të njëjtin grup, dhe po “Elbasan Arena”, ku dy rrjetat e humbjes 0-2 u pësuan në fund.

Historia nis shpejt. Në 1983, në prani të 41 000 tifozëve në Zarbryken, Gjermania Perëndimore fitoi ndaj nesh 2-1 me golin e Shtrakut 10 minuta para fundit.

Në vitet 1993, shtylla e Ledio Panos në sekondat shtesë nuk na lejoi të barazonim 2-2 me Gjermaninë, tashmë të bashkuar, në “Qemal Stafa”. Kaluan 4 vjet, dhe ndërsa në Shqipëri vazhdonin trazirat e rënda, kombëtarja luante një nga ndeshjet më të shkëlqyera, humbur 3-4 pas një goli në minutat gjithashtu shtesë, gol që shqiptarët nuk e panë direkt nga televizori, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Në 2001, në Leverkusen, u ndëshkuam nga Gjermania 1-2, me golin e parë të realizuar në kombëtare nga Miroslav Klose, që vendosi rezultatin në minutën e 88-të. Në shtator 2009, humbëm 1-2 në “Qemal Stafa” me Portugalinë sërish në sekondat përmbyllëse, në eleminatoret e Kupës së Botës 2010. Urimi është që pësimi i Stambollit të bëhet mësim, por duket e vështirë.

Sfidanti.al