Borusia tjetër është në krye të renditjes në Gjermani. Mjaftoi fitorja 5-1 ndaj Augsburgut, që në Bundesligë të ndihet një Erë e re, ajo e kryesimit nga Mynshengladbahu, diçka që solli në kujtesë ekipin e madh të viteve 70-të, me lojtarë të tillë si Berti Fogts, Uli Shtilike, Jup Hajnkes, Alan Simonsen apo Rainer Bonhof. Natyrisht, sot nuk ka yje të tillë, por ekipi është në vend të parë dhe pyetja është nëse mund të shpallet kampion?
Vetë trajneri Marko Roze thotë se “atmosfera tek ne është e jashtëzakonshme, kolegët më kanë uruar për fitoren dhe për kryesimin e tabelës”. Gjithsesi, disa nga kolegët kanë dyshime. “Nuk mendoj se Borusia do të dalë kampion këtë vit, – thotë Diter Heking, kryesues i Bundesligës së dytë me Hamburgun, – gjithsesi, do ta zbukurojë shumë kampionatin dhe Marko është zgjedhja e duhur për Gladbahun”.
“Më bëhet shumë qejfi për Markon dhe Gladbahun, – thotë trajneri i Shalkes, David Vagner, – shpresoj që të mbajnë kreun për një kohë të gjatë, ai ka punuar shumë mirë”. “Borusia nuk do të dalë kampion këtë vit, – thotë tekniku i Dyseldorfit, Fridhelm Funkel, – por, padyshim që do të jetë në 6 vendet e para. Marko po bën një punë vërtet të mirë”.
Sfidanti.al