Lëklerk “pensionon” Fetelin, dhe i mbyll Hamiltonit derën tek Ferrari?!

Në skuadrën e famshme hyri, siç i thonë, “në majë të gishtave”. Sharl Lëklerk ishte i talentuar, por nuk besohej që të shpërthente shpejt dhe të ndryshonte hierarkinë, si dhe planet e të ardhmes për kampionët. Piloti nga Montekarlo duket se ka mbyllur një herë e mirë karrierën e Sebastian Fetelit tek Ferrari, pasi e ka mundur “dorë për dorë” shokun e tij të skuadrës. Në moshën 21-vjeçare, Lëklerku është talenti i ri më i madh i Formula 1, së bashku me Verstapenin e Red Bullit, ndërsa Feteli 32-vjeçar duket i lodhur dhe i pamotivuar në krahasim me të.

Ajo që ndodhi në Çmimin e Madh të Rusisë, në Soçi, ishte thjesht dalja në dritë e asaj që pritej, pra që Ferrari do të zgjidhte Lëklerkun si njeriun kryesor, dhe që Feteli duhej t’i shërbente strategjisë së skuadrës. Gjermani, katër herë kampion i botës, nuk u bind, dhe besohet se kjo i vuri vulën gjithçkaje. Gjithsesi, Lëklerk duket se po prish edhe planet e Ljuis Hamiltonit. Njeriu që po shkon drejt titullit të 6-të botëror, mendohet se do të kishte dëshirë ta provonte Ferrarin përpara mbylljes së karrierës. Me një Lëklerk 21-vjeçar që premton të ardhme të madhe, pak besohet se italianët do të pranonin të vinin bast me Hamiltonin 34-vjeçar.

Sfidanti.al