Nga dhuna e tifozëve në derbi, tek premtimet e shkelura nga qeveria, alarm në Superligë!

Mund të kishte pasur edhe viktima. Kështu duket se ishte plani i disa tifozëve ultras të Tiranës në derbin ndaj Partizanit në “Selman Stërmasi”. Policia e Shtetit konfirmon në njoftimin e saj se ishin hapur tri gropa përpara tribunës ku ishin vendosur tifozët kundërshtarë, dhe ato i kishin mbushur me lëndë piroteknike, me mekanizëm ndezjeje elektrike.

Plani, sipas Policisë, ka qenë për të shpërthyer lëndën piroteknike e për të shkaktuar frikë, por edhe dëmtime fizike për përkrahësit e Partizanit. Policia dyshon për dy persona, të cilët ajo i akuzon edhe si pjesëmarrës në dhunën e zhvilluara para fillimit të derbit. Deri tani, është ndaluar një tifoz, gjashtë janë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa dy tifozët e akuzuar më shumë se të tjerët, janë shpallur në kërkim.

Konflikti mes tifozëve besohet se nisi për shkak të fonisë në stadiumin “Selman Stërmasi”, që ishte vendosur në tribunën ku ishin tifozët e Partizanit. Këta kanë kërkuar ta heqin, ndërsa më pas kanë reaguar ultrasit e Tiranës, që kanë kaluar rrethimin e brendshëm të stadiumit. Përleshja solli disa të lënduar, ndërsa u shua pas ndërhyrjes së forcave të Policisë së Shtetit.

Kaq e rrezikshme ishte situata saqë forcat policore ishin brenda stadiumit, ndryshe nga herët e tjera, kur kanë qendruar jashtë tij.

Në mars të këtij viti, u dha premtimi nga kryeministri Rama për ashpërsimin e masave ligjore për të ndëshkuar tifozët e dhunshëm, dhe u la një afat 100-ditor për t’i kaluar në Kuvend. Kanë kaluar 7 muaj dhe deri tani kuadri ligjor për dhunën nuk është plotësuar, sipas premtimit.

Sfidanti.al