Nënkampion Europe, por Totenhemi eleminohet nga ekipi i ligës së 4-rt!

Mbrëmja e 24 shtatorit 2019 do të shkruhet me shkronja të mëdha, e të arta, në kujtesën e tifozëve të Kolçester Junajtidit. Skuadra e tyre e zemrës, edhe pse në kategorinë e katërt, realizoi një arritje të shquar duke eleminuar Totenhemin nga Kupa e Ligës. Barazimi 0-0 u shoqërua nga penalltitë, që vendasit i fituan 4-3. Një krenari më shumë për rreth 111 000 banorët e qytetit që mburret se është qendra më e vjetër urbane në historinë e Anglisë.

Tom Lapsli shënoi golin vendimtar nga pika e bardhë e 11-metërshave duke krijuar edhe më shumë famë për kompeticionet e kupave angleze. Skuadra e sotme shpreson të realizojë atë që bëri ekipi i vitit 1971, kur arriti në çerekfinale të Kupës së Anglisë, duke eleminuar edhe Lids Junajtidin e famshëm të asaj kohe. Për Totenhemin e trajnerit Poçetino vazhdon nisja e keqe e sezonit. Nënkampionë të Europës në fuqi, Spërsat e kanë filluar dobët Premier Ligën, ndërsa u eleminuan edhe nga Kupa e Ligës.

Sfidanti.al