Futbolli nuk është sport për hallexhinj, u shpreh një nga zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), kur u ngacmua për çmimin e lartë të biletave për ndeshjet e ekipit përfaqësues. Arena Kombëtare pritet të jetë tipike në këtë aspekt, me çmime që nuk do të jenë poshtë 1 000 apo 1 500 lekëve të rinj (për tribunat popullore), diçka që do të penalizojë padyshim njerëzit me të ardhura të vogla.
Kur kujton se 70 për qind e shqiptarëve kanë të ardhura familjare për frymë prej jo më shumë se 25 apo 30 000 lekë në muaj, shifrat e biletave në ndeshjet e kombëtares janë vërtet “të dhimbshëm”. Është shumë e lehte për gjithkënd të bëjë krahasimin me politikën që ndjekin federatat në vendet e tjera europiane, për të kuptuar se Shqipëria, edhe në futboll, ndjek parimin “rroga të ulëta, çmime të larta”.
Shumica e tifozëve shqiptarë janë hallexhinj dhe, nëse futbolli e kombëtarja nuk janë për ta, atëherë kujt i duhet ky ekip? Gjithsesi, në Federatë kanë pasur shumë kujdes për tribunën VIP, duke i dhënë një të katërtën e stadiumit, ndërsa kënaqen që kjo tribunë do të sjellë 40 për qind të të ardhurave të stadiumit.
Sfidanti.al