Sjellja e Bejlit, një tjetër sinjal se punët tek Reali nuk janë mirë!

Konflikti i verës mes yllit uellsian dhe trajnerit nuk është zhdukur pa gjurmë. Përkundrazi! Garet Bejl duket se nuk e ka aspak me qejf qendrimin tek Reali, me siguri i ofenduar nga ajo që ndodhi muajt e kaluar, dhe këtë e tregoi me sjelljen që bëri përpara fillimit të ndeshjes së Championsit ndaj Paris SG. Kjo ngjau kur futbollistët u rreshtuan për foton tradicionale para vërshëllimës së gjyqtarit, dhe kur Rafael Varan i zgjati emblemën e klubit. Bejli i hodhi një sy shokut të ekipit, i habitur, përtueshëm dhe me mëdyshje, a thua se po i jepnin emblemën e ndonjë klubi tjetër, e mori me ngurrim dhe ia dorëzoi shpejt e shpejt Dani Karvahalit.

Pas kësaj, të shkon mendja menjëherë te konferenca e famshme e shtypit e Zidanit në SHBA, kur deklaroi se “sa më shpejt të largohet Bejli, aq më mirë është”, ndërsa koha provoi të kundërtën. Një gabim i tillë në gjykim nga ana e legjendës franceze krijoi një krisje dhe tension të madh, ndërsa më pas erdhën dështimet në treg, duke mos marrë dot Nejmarin apo Pogbanë, dhe duke mbajtur prej hallit Bejlin e Hames Rodrigezin. Duket se edhe lojtarët madrilenë thjesht po luajnë aty prej hallit, pavarësisht se veshin fanelën e skuadrës më të famshme të botës.

Sfidanti.al