Aca Petroviç: E dija prej 6 muajsh sesi do ta ndalja Antetokumbon!

Është vëllai i “Moxartit të basketbollit”, edhe ai një ish-lojtar shumë i mirë, dhe sot një trajner i rëndësishëm. Aleksandar “Aca” Petroviç u bë hero i Brazilit pasi drejtoi nga stoli kombëtaren e koshit të “Selesaos” në fitoren ndaj Greqisë në Botërorin e Kinës. Suksesi 79-78 u arrit ndaj një ekipi që udhëhiqej nga Lojtari më i mirë i sezonit të NBA-së, Janis Antetokumbo, i cili u paraqit dobët.

“E dija prej 6 muajsh sesi do ta ndalja Antetokumbon, – tha kroati 60-vjeçar, vëllai I Drazhen Petroviçit, – mos u habisni fare, sepse prandaj sporti është i mrekullueshëm. Një djalë 23-vjeçar, më i miri i NBA-së, u ndal nga një 39-vjeçar, që e rrahu në prapa…. Ky është basketbolli”. Ylli i Miluokit shënoi vetëm 13 pikë, kapi 4 topa në tabela, dha 1 asist, vodhi 3 topa dhe bllokoi një gjuajtje, si dhe doli nga loja për gabime personale.

Përveç Antetokumbos, grekët patën edhe disa lojtarë të tjerë të shkëlqyer si Princezis, Papanikolau, Kalathes apo Slukas, veçse luajtën shumë dobët në mbrojtje. Brazili pati si lider lojtarin e NBA-së, Anderson Varezhao me 22 pikë e 9 topa në tabela, dhe po ashtu shumë mirë luajtën Souza, Barboza e Aleks Garsia, që ishte 39-vjeçari që ndaloi Antetokumbon.

Sfidanti.al