Ishte e mundshme dhe ndodhi duke krijuar entuziazëm e krenari. Që nga Olimpiakosi i buxhetit shumëmilionësh, e deri tek “krenaritë e varfëruara” Dinamo Zagreb e Crvena Zvezda, skuadrat ballkanase i bënë vend vetes në fazën e grupeve në Champions. Olimpiakosi me përvojë i Pireut triumfoi edhe në Rusi ndaj Krasnodarit, një klubi që ka buxhet rreth 100 milionë euro, por nuk e ka eksperiencën e grekëve. Danil Utkin kaloi vendasit në epërsi në 10’, por Jusef El Arabi me dygolëshin e tij i dha fitoren Olimpiakosit, që kishte triumfuar 4-0 edhe në “Karaiskaqis”.
Dy skuadrat nga ish-Jugosllavia mund të quhen mrekulli më e madhe. Crvena Zvezda, kampione e Europës në 1991 me Saviçeviçin, Prosineçkin, Jugoviçin e Mihajloviçin, vuajti jo pak ndaj Jang Bojsit të Zvicrës, por ia doli. Barazim 1-1 në “Marakana” (apo “Rajko Mitiç), dhe kualifikim pas barazimit 2-2 në Zvicër. Aleksa Vukanoviç kaloi serbët në epërsi në 59’, por El Fardu Ben shkaktoi autogol në 81’. “Krediti nga Zvicra dërgoi Zvezdën në Ligën e Kampionëve”, titulloi “B92”.
“Të kaltrit” e Zagrebit ia dolën në Norvegji, ndaj një kundërshtari të respektueshëm si Rozenborgu. Me kapitenin Arijan Ademi në formacion, kroatët barazuan 1-1, rezultat fitues pas suksesit 2-0 në “Maksimir”. Akintola kaloi vendasit në epërsi në 11’, por Amer Gojak barazoi në 71’.
Sfidanti.al