Dëmtohen Mbape e Kavani, ç’bëhet tani me Nejmarin?!

Qenka fillim sezoni i dëmtimeve të mëdha. Nëse në Spanjë, Barça është ende pa treshen e sulmit Mesi-Suarez-Dembele, në Francë mungojnë po ashtu dy yje kryesorë nga kampionët. Edinson Kavani dhe Kilian Mbape dolën nga fusha të dëmtuar në ndeshjen e mbrëmshme në “Park dë Prensis” ndaj Tuluzës në Ligën e Parë, duke ngritur një alarm të madh. Më parë u lëndua sulmuesi uruguajan, dhe pas tij edhe kampioni i botës i Francës, në minutën e 66-të.

Goditja e marrë nga Kavani u ndje në skuadër, ashtu siç po ndihet konflikti me Nejmarin dhe mungesa e tij, aq sa golat e fitores erdhën relativisht vonë. Erik Çupo-Moting hapi serinë e rrjetave në 50’, por pastaj ishte më e lehtë. Gonsalves shkaktoi autogol në 55’, Di Maria humbi penallti në 71’, Çupo-Moting realizoi për 3-0 në 75’ dhe Markinjos vulosi rezultatin 4-0 në minutën e 83-të.

Në mungesë të Kavanit e Mbapesë, çdo të bëhet me Nejmarin? Do të vazhdojë afrimi i tij me drejtuesit parizienë, tani që ekipi ka më shumë se kurrë nevojë për të? Ka mundësi edhe që të ndodhë kështu, por më parë duhet marrë vesh shkalla e dëmtimit e dyshes së sulmit. “Duket se janë lëndime muskulore, – tha trajneri Tuhel, – por, nuk di të them sesa të rëndë janë. Do ta marrim vesh pas vizitave mjekësore”.

Sfidanti.al