Nejmar apo Pogba? Vajadolidi tregoi se Realit i duhet një “Bombë”!

Mungesa e Kristianos vazhdon të ndihet, edhe pse edhe vetë portugezi nuk do të kishte çfarë të bënte. Nuk është shterur talenti në Madrid, por duket se personalitetet janë plakur, ndërsa të rinjtë nuk po e marrin dot “stafetën”. Barazimi në “Bernabeu” ndaj Vajadolidit tregoi se “Reali i Vjetër” i Zinedin Zidanit (apo edhe i Lopetegit e Solarit) nuk jep garanci. Modriç mungoi i pezulluar, Hazar ishte i dëmtuar, Vinisius u la në stol, Asensio është i dëmtuar, ndërsa Zizuja vendosi për Hames Rodrigezin e Iskon titullarë, me më shumë zotërim topi, por me më pak talent e vertikalizim.

Pavarësisht se Vinisius e Joviç hynë në pjesën e dytë, ashtu si Lukas Vaskez, ndërsa Bejl ishte në fushë (dhe nuk luajti keq), sërish për golin, madrilenët kanë varësinë nga Benzemaja. Sulmuesi francez shënoi edhe këtë herë, por ai nuk i ka “breshëritë” e CR7-ës, ndaj duhet mbështetur. Kjo do të thotë se në “Bernabeu” kanë nevojë për një njeri të golave, dhe ky mund të jetë Nejmari, më shumë sesa Pogbaja që luan si mesfushor. Një problem më vete për “të bardhët” është ai i gabimeve në mbrojtje, ndërsa i dhuruan golin një kundërshtari me mbiemrin Guardiola. Zidan duhet të mendojë për ta zgjidhur edhe këtë problem.

Sfidanti.al