Super Salah, por më i miri i Liverpulit ndaj Arsenalit ishte Matip!

Tek Liverpuli erdhi pa kushtuar asnjë “grosh”, dhe kurrë nuk është menduar si një yll i madh, por e tregoi veten duke dalë mbi të gjithë. Zhoel Matip, në moshën 28-vjeçare, bëri paraqitjen më të mirë të të gjithë karrierës, duke lënë në hije edhe vetë “Faraonin” Mohamed Salah. Sulmuesi egjiptian realizoi dy gola në fitoren 3-1 ndaj Arsenalit në “Anfild”, por qendërmbrojtësi “vodhi spektaklin”, duke marrë notën 9 ndaj 8.5 të shokut të skuadrës.

Jo vetëm kaq, por ai tërhoqi më shumë vëmendjen edhe se shoku i tij i repartit, tepër i vlerësuari Virgil Van Dajk, që cilësohet si mbrojtësi më i mirë i botës, sot për sot. Kjo do të thotë se Jurgen Klopi ka sot tek Liverpuli një dyshe të qendrës, që mund të jetë më e mira në planet. Lavdërime të merituara për shtatlartin 1.95 metra, lindur në Gjermani, por që ka përfaqësuar Kamerunin. Kjo formë është një revansh ndaj goditjeve të marra në karrierë, me shumë dëmtime tek Liverpuli, e disa herë me kritika. Falë fitores 3-1 ndaj londinezëve, të kuqtë mbajnë kreun e tabelës në Premier Ligë, me 9 pikë të plota, dhe me golaverazhin 9-3.

Sfidanti.al