Situata te Shkëndija e Tetovës nga për të qeshur është shndërruar në atë për të qarë, pasi ky klub kampion i Maqedonisë është përfshirë nga një krizë e rëndë, gjë që e tregon edhe fakti se ai pësoi humbjen e dytë radhazi në raundin e dytë të kampionatit kombëtar, kësaj here në Kratovo, duke u mundur 1-0 nga Sileksi vendas.
Po t’i shohësh emrat e lojtarëvë te klubit tetovar, gjithçka është në rregull, por, po të shohësh lojën e tyre, pa frikë mund t’i vendosësh duart mbi kokë! Në fakt, nuk është ndonjë turp i madh të mundesh nga Akademia Pandev dhe Sileksi në dy raundet e parë të kampionatit, por turp është që të mos arrish dot të shënosh qoftë edhe një gol në dy ndeshje!
Ku janë këta “yjet” e Shkëndijës, Besarti, Agimi, Radeski, Felipe, Zhunior e të tjerët që nuk mund të shënojnë të paktën një gol?
Dhe në këto kushte sigurisht që nuk mund të mos fajësohet trajneri i ekipit, Qatip Osmani, strategu legjendar i klubit tetovar, që i ka dhënë klubit kuqezi tre tituj kampioni, por që nuk mund t’i zgjojë dot nga gjumi “yjet” e tij, sikur ata kanë rënë në ndonjë gjumë letargjik.
Karrigia e Qatos ka filluar të tundet dhe tani duhet të pritet që të shihet, nëse ajo do të rrezohet.
Sfidanti.al