Filip Kutinjo mund të ndihmojë dhe barazimi me Hertën mund të mos jetë fundi i botës. Gjithsesi, ata që “skanojnë” çdo ditë Bajernin e Mynihut të thonë se klubi i madh ka probleme po kaq të mëdha sa ka emrin. Një problem duket mungesa e zhvillimit taktik në krahasim me sezonin e kaluar, diçka që mund të ndikojë për keq.
Çështja tjetër është ajo e pakënaqësive dhe kritikave në gjirin e skuadrës. Renato Sançez dëshiron të largohet dhe e ka shprehur këtë publikisht, duke marrë një “dhuratë për ditëlindje”, 10 000 euro gjobë nga trajneri Niko Kovaç. Portugezi, kampion i Europës, mbushi 22 vjeç. i pakënaqur Zherom Boateng, vendi i të cilit ndaj Hertës u zu nga Pavar, ndërsa shpejt konkurrenca pritet të rritet me aftësimin e plotë të Hernandezit.
Turbullirat ishin shtuar që më parë, nga gafa e Kovaçit për Leroi Sanenë, komentet e Guardiolës, kritika e Rumenigës, dhe kërkesa e faljes nga trajneri kroat. Jo më pak dëmtojnë kritikat e Xhoshua Kimihut, që nuk pëlqeu zëvendësimet e vonshme të Kovaçit (85’, 87’), edhe pse po barazohej 2-2 me Hertën.
Problemi i fundit duket se quhet Hasan Salihamixhiç. Drejtori sportiv dështoi për Sanenë dhe Hadson-Odoin, ndërsa Kutinjo duket se është vepër e Rumeniges, dhe po ashtu edhe ardhja e Ivan Perishiçit nga Interi ka “vulën” e tij, edhe për shkak të së kaluarës zikaltër.
Sfidanti.al