Rinis Bundesliga, dhe hegjemonia e Bajernit është në rrezik!

“Sipari” ngrihet sot në orën 20:30, në impiantin madhështor “Alianc Arena”. U takon kampionëve të Bajernit të kenë nderin e ndeshjes së parë të Bundesligës, duke pritur Hertën e Berlinit në kryeqytet, por parashikimet nuk janë aq “miqësore” sa në të kaluarën. Hegjemonia e bavarezëve ndoshta po i afrohet fundit, ose të paktën mund të thuhet se ky mund të jetë sezoni më i vështirë i viteve të fundit.

Titulli është fituar 7 herë radhazi, veçse Dortmundi edicionin e kaluar ui afrua shumë pranë suprizës së madhe. Këtë verë, ndërsa Bajerni nuk është përforcuar mjaft, të paktën deri tani, Borusia ka pasur histori tjetër. Verdhezinjtë kanë marrë disa lojtarë shumë të mirë si Mats Humels, Torgan Hazar, Niko Shulc, Julian Brant e Mateu Morei, ndërsa kanë blerë plotësisht kartonin e sulmuesit spanjoll, Pako Alkaser. Po ashtu, Dortmundi ka refuzuar ofertën e madhe për Xhejdën Sançon, adoleshentin e shkëlqyer anglez.

Po Bajerni? Vetëm dy mbrojtës “për të qenë” kanë mbërritur, kampionët e botës Pavar dhe Lukas Hernandez, si dhe sulmuesi i ri, Arp. Largimet janë të rëndësishme si Humels, Riberi, Roben, Hames Rodrigez apo Rafinja. Trajneri Kovaç ka mungesa të mëdha në krahët e sulmit, me disa lojtarë që po vjetërohen (Myler, Boateng, Levandovski). Ivan Perishiç i ardhur nga Interi duket një përforcim i mirë, por tepër i paktë për të balancuar largimet.

Sfidanti.al