“Votë për gratë, votë për gratë”. Amatorët shqiptarë të filmave të huaj e mbajnë mend shumë mirë këtë thirrje të fare pak aktivisteve për të drejta të barabarta mes dy sekseve, ndërsa shikonin filma bardhezi në kohën e socializmit, të tillë që mund të kalonin censurën. Nëse Europa u bind më në fund në gjysmën e parë të shekullit të 20-të për t’u dhënë të drejtën e votës edhe femrave (me Zvicrën që nuk deshi të ndryshonte deri në 1959), kontinenti i vjetër duket se po përjeton një tjetër luftë të sekseve, atë të pagës së barabartë në sport.
Kërkesat janë të shumta në tenis dhe në futboll, por legjendës holandeze, Frank De Bur, nuk i ka pëlqyer aspak vendimi i Federatës së Futbollit të Holandës, për të vendosur pagesë të barabartë mes gjinive në ekipet kombëtare. “Një finale e Botërorit të meshkujve ndiqet nga 500 milionë njerëz në TV, – tha De Buri, – ndërsa finalja e femrave shihet nga 100 milionë. Ka një diferencë, pra, që duhet të reflektohet edhe në pagë”. Ish-ylli “tulipan” ndoshta ka harruar se kjo logjikë është hedhur poshtë me kohë në politikë dhe në fusha të tjera ku është diskutuar. Për femrat ka kuota të detyrueshme në partitë politike, në pushtetin vendor dhe në parlamente, dhe kjo pavarësisht se meshkujt mund të jenë më fitues në aspektin elektoral. Këto ligje janë bërë duke pasur parasysh kohën e humbur nga femrat, prej shekujsh të tërë të mbyllura në shtëpi, dhe kjo është arsyeja edhe e diferencës në sport, sot për sot.
Sfidanti.al