Çfarë dueli i hidhur fjalësh mes Mejuedhërit dhe Pakiaos

Boksi, ashtu si bursa, është një sport ku më shumë flitet dhe bëhet zhurmë përpara sesa të bëhet lufta. Kjo po kujtohet tepër qartë këto ditë, kur po lakohet një rindeshje mes Flojd Mejuedhër Xhuniorit dhe Mani Pakiaos, ndërsa filipinasi fitoi ndeshjen ndaj Keith Thërmanit dhe u bë kampion i botës në moshën 40-vjeçare. Agjenti i Pakiaos, Shon Gibons, ishte njeriu që hapi lojën, qartësisht duke dashur një ndeshje të dytë mes legjendave të boksit profesionist, pas asaj të vitit 2015 fituar nga amerikani, me vendim unanim nga gjyqtarët, me pikë.

“Legjitimiteti i Senatorit (Pakiaos), – tha Gibonsi, – po rritet gjithnjë e më shumë. Kjo po e bën Flojdin pak si shumë xheloz. Në moshën 40-vjeçare Senatori po shkruan historinë, duke bërë gjëra që nuk janë bërë ndonjëherë. Senatori nuk e lidh jetën e tij me Flojdin, por duket se Flojdi e lidh jetën e tij me atë të Senatorit”.

Mejuedhëri u përgjigj në mënyrë agresive, ndërsa u pyet nga gazetarët. “Është shumë ironike që emri im lidhet me emrin e tij, – tha 42-vjeçari, – gjithë lavdia e tij është bazuar duke u lidhur me emrin tim, ndaj ju lutem mos e bëni këtë gjë, por lereni të ecë me këmbët e tij. Prej vitesh ju thatë se unë kisha frikë prej tij, por unë e fitova shumë lehtë duelin me të. Ju jeni të tronditur sepse unë theva rekordet e Roki Marçianos, dhe ju e urreni faktin se një zezak me universitet jua hodhi të gjithëve. Duket se unë do të qesh gjithnjë mirë, sepse do të qesh i fundit”.

Sfidanti.al