Dëshiron të mundësh Markezin? Duhet një çmenduri, Doviciozo!

E pohoi edhe vetë pas garës së fituar në mënyrë tepër dramatike. Andrea Doviciozo fitoi Çmimin e Madh të Austrisë në motoçiklizëm, klasi maksimal, duke mundur në kthesën e fundit kampionin e botës, Mark Markez. Italiani luftoi fort me spanjollin dhe deklaroi se “nuk u mendova aspak, por bëra diçka të çmendur që më dha fitoren”. Pra, vetëm kështu mund të mundet një supertalent i Markez, që vlerësohet më lart se legjendat Mik Duhan apo Valentino Rosi.

Doviciozo ndihmoi Dukatin që të ruante epërsinë në Austri, ndërsa Markez nuk arriti të triumfonte në të vetmen pistë ku nuk ia ka dalë në klasin maksimal të motorëve. Nuk është se ndodhi ndonjë gjë e madhe në renditjen e pilotëve, as nuk ishte ndonjë humbje e madhe për spanjollin. Markez mbetet 68 pikë përpara Doviciozos që ka fare pak shanse për titullin, ndërsa të gjitha humbjet e spanjollit kanë ndodhur me fare pak, këtë herë me 213 të mijtat e sekondës, në Katar vetëm për 23 të mijtat dhe në Muxhelo për 43 të mijtat.

Sfidanti.al