Arsenali harron “tmerrin” e vjetshëm, e nis Premierin me fitore

Mjaftoi vetëm një gol për të marrë 3 pikë dhe për të larguar dyshimet. Arsenali mund të mos jetë pretendent kryesor për titullin në Premier Ligë, por gjithsesi nuk e bëri gabimin e vitit të kaluar kur e filloi kampionatin me humbje. Në fushën e vështirë të Njukasëllit, ishte Pier-Emerik Obamejang që shënoi rrjetën e vetme në minutën e 56-të, për ekipin e trajnerit Unai Emeri.

Një fitore nuk do të thotë asgjë, por gjithsesi më mirë kështu sesa ndryshe. Në pjesën e parë londinezët nuk bindën, madje shpëtuan mirë kur Xhoxho Shelvei goditi shtyllën për Njukasëllin. Obamejang, një nga yjet e paktë të vërtetë të Arsenalit, u shërbye për golin nga mbrojtësi i ri, Einsi Meitlend-Najls, që u tall shumë pas autogolit qesharak në miqësoren ndaj Barcelonës.

“Jam i lumtur për fitoren, – tha Emeri më pas, – kjo na jep besim që të konkurrojmë me skuadrat më të forta. Synimi ynë kryesor është Championsi, por nuk do të heqim dorë nga ëndrra për titull”. Në fushë për Arsenalin, ishte edhe mesfushori shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka.

Sfidanti.al