Është një lajmërim për film, por në Mynih e quajnë provokim

Nuk mund të kishte prekje më të madhe në sedër për tifozët e Bajernit sesa një pllakatë e rivalit kryesor, Dortmundit, brenda në qytetin e tyre. Një reklamë e madhe është vendosur në fasadën e një ndërtese në Rrugën Teatiner (Theatinerstrasse), dhe lajmëron dokumentarin e Amazonit për BVB-në, duke pasur si imazh fytyrat e lojtarëve Rojs, Sanço e Vicel. Titulli i vendosur mund të quhet po ashtu provokativ, edhe pse mund të interpretohet ndryshe: “Të dashur mynihas, mirë se vini në kabinën tonë”!

Kjo, ndërsa Dortmundi mund 2-0 Bajernin në “Signal Iduna Park” duke fituar Superkupën e Gjermanisë. Për momentin, yjet bavarezë janë të shqetësuar më shumë për gabimet e veta, ndërsa Xhoshua Kimih shkruan se “kur bën gabime kaq elementare, është e vështirë ta fitosh ndeshjen, mungesa e përqëndrimit do të thotë edhe mungesë cilësie”. Gjithsesi, as lojtarëve, dhe as tifozëve nuk besohet t’u ketë pëlqyer posteri i Borusias.

Sfidanti.al