Ajaksi, “makineria e futbollit total” vazhdon të prodhojë talente dhe spektakël!

Shpresa është që kjo skuadër të mos shkatërrohet. Paraqitja e parë zyrtare e sezonit tregoi se Ajaksi është më shumë sesa thjesht dy yje të mëdhenj, tashmë të larguar, dhe djemtë e rinj nga Amsterdami e nisën me fitore, duke bërë të tyren Superkupën e Holandës.

Rivali i madh, PSV Ajndhoveni me më shumë përvojë, u mposht 2-0 me gola të shënuar nga Kasper Dolberg dhe kapiteni Dejli Blind. Ajaksi, fitues i kampionatit dhe i Kupës së Holandës vitin e shkuar sportiv, e luajti finalen e Superkupës në stadiumin e tij “Arena Johan Krujf”, diçka që e ndihmoi. Gjithsesi, mund të thuhet se ekipi i trajnerit Ten Hag, e meritoi suksesin dhe u duk i fortë.

U deshën vetëm 36 sekonda për të kaluar në avantazh, kohë gjatë së cilës rivalët nuk e kishin prekur ende topin, ndërsa dominimi vazhdoi nga fillimi deri në fund. Pati mjaft momente acarimi, u deshën edhe ndërhyrje të VAR-it, por bukuria e ndeshjes nuk u prish dhe tifozët ishin të lumtur.

Ekziston mundësia që nga Ajaksi të ketë edhe largime të tjera, si ai i sulmuesit Neres apo i Zijeçit, por gjithsesi, skuadra e lavdishme pritet të jetë e fortë edhe këtë vit në Holandë dhe në Champions. Deri tani, të ikur me fitime të mëdha janë Frenki De Jong, për 75 milionë euro tek Barcelona, dhe Matijs De Ligt gjithashtu për rreth 75 milionë euro tek Juventusi. “Makineria” e futbollit total duket se vazhdon të prodhojë spektakël.

Sfidanti.al