Dy milionë euro drogë tundojnë atleten profesioniste holandeze

Mund të jesh sportiste e nivelit të lartë, dhe të mos jesh në rregull nga “trutë”. Ndoshta, kjo mund të jetë edhe normale në këtë ambient ku edhe më varfanjaku është i “dënuar” të lexojë, dëgjojë e shikojë lajme që flasin për miliona, për lumturi materiale, pushime ekskluzive, makina të shtrenjta, vila e aeroplanë privatë, ndërsa vetë mezi mbyll muajin.

Atletja holandeze, Madiea Gafur, mund të jetë një prej këtyre njerëzve, aspak milionere, pasi atletika profesioniste nuk të sjell të ardhura kaq të mëdha. Vajza 26-vjeçare u ndalua në Gjermani, pasi në makinën e saj u gjetën 50 kg drogë, dhe tani mbi të rëndojnë akuzat e trafikut të lëndëve narkotike, gjë që mund t’i sjellë një dënim të rëndë me burg.

Madiea, me origjinë nga Pakistani por e lindur në Amsterdam, i deklaroi policisë se nuk kishte asgjë të ndaluar në makinë, por kontrolli zbuloi 50 kg metamfetaminë dhe ekstazë, me vlerë në treg prej rreth 2 milionë eurosh. Federata Holandeze e Atletikës u shpreh e habitur, ndërsa shtoi se nëse akuzat provohen, kjo do të thotë fund i karrierës sportive për Gafurin.

Sfidanti.al