Nja 30 vjet më parë, kampionia “hijerëndë” e Shqipërisë në volejboll për meshkuj, Dinamo e trajnerit të shquar Vangjel Koja (Xhela), luajti në Novi Sad ndaj Vojvodinës së Jugosllavisë në Kupën e Kampionëve. Ndryshe nga sa prisnin vendasit, shqiptarët u mundën 0-3, por shefi i klubit Sokol Morina u tha jugosllavëve të zhgënjyer: “Në kthim do të shikoni një ndeshje tjetër”. Pasi foli me Xhelën, u mor premtimi për përmbysje dhe në Tiranë u fitua 3-0, edhe pse pikaverazhi nuk ishte ai i duhuri.
Një ultimatum të tillë dha mbrëmë presidenti i Kukësit, Safet Gjici, për skuadrën e tij pas ndeshjes me dy fytyra krejt të pangjashme në Hungari. Një pjesë e parë dominuese ndaj Debrecenit, ndërsa pas pushimit gjithçka përfundoi me shifrat 3-0 për kundërshtarin. “Harram e paçin, ta përmbysin se ndryshe …”, – ishin disa fjalë të Gjicit, cituar nga “Panorama Sporti”. A do të arrijë Kukësi përmbysjen? Edhe nëse i afrohet, do të ishte sukses, por në tërësi “turlia” shqiptare në kupat e Europës është histori e vjetër.
Barazim i luftuar i Partizanit ndaj Karabakut, barazim me lojë të mirë i Laçit kundër Hapoelit izraelit, humbje me shifra të njëjta të Kukësit në Hungari, dhe të Teutës në Letoni ndaj Ventspilsit. Nuk quheshim favoritë kur u hodh shorti, nuk jemi as pas ndeshjeve të para, dhe gjithçka jo për “faj” të kundërshtarëve, por për fajin e “turlisë” së Superligës sonë të futbollit, që vetëm emrin ka si ligat e tjera të Europës.
Sfidanti.al