Kur zihen dy, fiton i treti: Një klub spanjoll mund “ta grabisë” Ikardin

Sulmuesi Mauro Ikardi definitivisht nuk ka të ardhme tek Interi dhe këtë e bëri të qartë “operativi” kryesor i këtij klubi, Bepe Marota.

Kjo do të thotë se Ikardit tani i duhet të gjejë një klub të ri, një mision aspak i vështirë, duke patur parasysh se shumë klube po interesohen  për shërbimet e këtij golashënuesi argjentinas.

Në Itali janë dy klube që po “zihen” për firmën e tij, por sidoqoftë si Juventusi, ashtu edhe Napoli mund të mbesin duarbosh, sepse Ikardi mund të përfundojë në ndonjë “mjedis” tjetër.

Media spanjolle shkruan se në kërkim të shërbimeve të Ikardit tani është vënë edhe Atletiko e Madridit, trajneri i së cilës, Diego Simeone, e vlerëson shumë sulmuesin argjentinas.

Në fakt, më shumë i kënaqur në këtë situatë mund të jetë Interi që do të donte më shumë ta shiste Ikardin jashtë Italisë sesa atë ta merrte ndonjë rival i tij (Interit) në Serinë A. Sidoqoftë që Atletiko të ndërmarrë një ofensivë të plotë për Ikardin, ky klub duhet të çlirohet fillimisht nga Diego Kosta.

Sfidanti.al