Sane, mos luaj me durimin e Bajernit, ultimatumi vlen një javë!

Një klub i madh nuk dëshiron të presë gjatë, apo të vihet në lojë. Bajerni është i mërzitur jo pak me Leroi Sanenë, lojtarin e kombëtares gjermane që e bëri objektivin kryesor të verës, nga i cili ende nuk ka asnjë lajm. Gjithsesi, “mjaft është mjaft” dhe këtë e bëri të qartë shefi ekzekutiv i bavarezëve, Karl-Hajnc Rumenige.

“Një lojtar duhet të mendojë për të ardhmen e tij edhe kur është me pushime, – tha ai, – Sane do të kthehet këtë javë në stërvitje me Mançester Sitin dhe ne presim një vendim nga ana e tij, pasi na duhet të veprojmë ndërsa humbëm dy lojtarë të rëndësishëm si Roben e Riberi”. Futbollisti i krahut pëlqehet nga trajneri Kovaç, dhe vlerësohet në rreth 100-110 milionë euro, sasi e madhe parash për Bajernin, por që është i gatshëm të sakrifikojë.

Gjithsesi, kampionët e Gjermanisë nuk kanë bërë asnjë kërkesë tek Siti, pasi nuk duan që të lëvizin përpara sesa Sane të shprehet për të ardhmen. Mediat britanike shkruajnë se Guardiola beson se 23-vjeçari do të qendrojë në “Etihad”.

Sfidanti.al