Sa pa shije kjo historia e Antuan Grizmanit tek Barcelona!

“Ta shpif” thuhet për një gjellë që nuk dëshiron ta hash. Kështu po thotë Atletiko e Madridit për “telenovelën” me personazhe kryesore Antuan Grizmanin e Barcelonën, por po kështu themi edhe ne, ndonëse kjo nuk është e vetmja “pjatë” që nuk na pëlqen në futbollin profesionist. Rregullat, “strikt fare”, janë që të mos ketë kontakte mes një klubi dhe një lojtari të një klubi tjetër, ndërsa vazhdon sezoni, por kjo gjë të bëhet vetëm në fund të majit.

A mundet, vallë, të respektohet kjo gjë, në një botë me kaq shumë “labirinte”, dhe “skuta”, ku mund të bisedosh pa u pikasur? Në fund të fundit, a mundet që një klub i rëndësishëm të lerë fatin e së ardhmes së tij në ajër deri në fund të sezonit? Vështirë të ndodhë, dhe vështirë se ndodh, ndaj është e saktë ajo që tha zv. presidenti i Atletikos, Zhil Marin, se “e kam ditur që në mars se ku do të luajë Grizmani, tek Barcelona”.

Së fundi, klubi i Madridit doli me deklaratë zyrtare duke dënuar sjelljen e Grizmanit dhe të Barçës, që paskan biseduar që në mars, madje që në shkurt, duke i prishur punë ekipit të Simeones, që luftonte në Champions dhe në La Liga, në rivalitet me vetë katalanasit. Atletiko e ka urdhëruar Grizmanin të bashkohet me skuadrën të dielën për të nisur fazën përgatitore, në një formë ndëshkimi, ndonëse Barça shpejt pritet të paguajë 120 milionë eurot e klauzolës, dhe ta marrë francezin në “Kamp Nou”.

Sfidanti.al