Tronditje në Barcelonë: pse u largua “gjysma” e Bartomeut!?

Sipas informacioneve që vijnë nga Barcelona, në kryesinë e klubit katalonjas ka fraksione dhe konfirmim në këtë drejtim përbën edhe fakti se sapo dha dorëheqjen një funksionar që gëzonte besimin e madh të presidentit Hosep Maria Bartomeu.

Zhordi Mestre plot pesë vite kreu detyrën e zëvendesdrejtorit në sektorin sportiv të klubit, por dje ai dha dorëheqje të parevokueshme, duke lënë funksionin bosh që është shumë i rëndësishëm, kur është fjala për transferimin e lojtarëve.

Media spanjolle bën të ditur se ai dha dorëheqjen, pasi ndeshi në mosmarrëveshje të mëdha me një pjesë e kryesisë së klubit lidhur me politikën e transferimeve që ndjek klubi katalonjas, gjë që tregon se në organin më të rëndësishëm të këtij klubi ka përplasje të forta idesh dhe mendimesh.

Sido që të jetë, Mestre konsiderohej si një njeri, tek i cili presidenti i klubit katalonjas, Bartomeu, kishte besim të madh dhe tani duhet të pritet që të shihet sesi do të ndikojë e gjithë kjo që ndodhi te politika e transferimeve të Barcelonës.

Sfidanti.al