Simeone: Disa nuk e shikojnë që po ndryshojmë Atletikon!

E ka të pamundur të bëjë atë që arriti Sër Aleks Fergusoni, sepse Atletiko e Madridit nuk e ka pasur historinë e Mançester Junajtidit. “Djajtë e kuq” ishin legjenda edhe para ardhjes së skocezit të madh, ndërsa klubi i punëtorëve të Madridit vërtet kishte arritur edhe suksese, por gjithnjë mbetej nën hijen e Realit apo të Barcelonës.

Diego Pablo Simeone u detyrua të prishte paksa pushimet për të dhënë një intervistë në të përditshmen argjentinase, “La Nasion”, duke u pyetur gjerë e gjatë për atë që po ndodh në “Uanda Metropolitano”. “Jemi në mes të një ndryshimi, – tha trajneri, – këtë vit po largohen lojtarë dhe po vijnë të tjerë, por gjithashtu jemi edhe duke ndryshuar historinë e Atletikos”.

Natyrisht, Atletiko kishte histori edhe përpara Simones, pasi kishte fituar 25 trofe, nga të cilët 9 tituj kampion në Spanjë dhe 9 Kupa të Mbretit. Aspak gjë e vogël. “El Çolo” ka shtuar 7 trofe në 7 vjet, një La Liga, një Kupë të Mbretit, një Superkupë të Spanjës, por sidomos dy Liga të Europës, dy Superkupa të Europës, ndërsa ka arritur dy herë në finale të Championsit, mundur nga Reali i Kristiano Ronaldos.

“Atletiko po mbahet në pozicione ku janë Liverpuli, Interi apo Juventusi, – thekson tekniku argjentinas, – unë nuk jam trajner mbrojtës, e kam treguar tek River Plejti ku kombinova yje për të bërë skuadër, tek Independiente, dhe këtu tek Atletiko”.

Sfidanti.al