Dortmundi për Favren: Jo kampion? Realizoi çdo objektiv!

Sa mirë kur drejtuesit e një klubi janë kaq shumë realistë. Është fat për një trajner që punon me të tillë, dhe kështu po i ndodh Lysien Favresë, teknikut të Dortmundit, që mori si shpërblim rinovimin e kontratës, edhe pse nuk doli dot kampion i Gjermanisë. Borusia ishte 9 pikë para Bajernit në gjysmën e sezonit, por më pas u parakalua duke zënë vendin e dytë. Gjithsesi, shefi ekzekutiv, Hans-Joakim Vacke, deklaroi se trajneri zviceran i realizoi 100 për qind objektivat dhe pritshmëritë, pasi e bëri skuadrën pretendnete për titull që në sezonin e parë në stol.

Dortmundi pati skuadër me shumë më pak potencial dhe përvojë sesa bavarezët, dhe kjo vlerësohet shumë nga Vacke dhe menaxheri i përgjithshëm, Mikael Cork. Kontrata e re për Favren është deri në vitin 2021, ndërsa Vacke u shpreh se “është krejt normale dhe natyrale që ne duam ta lidhim të ardhmen së bashku”. Borusia do të ketë përforcime këtë sezon, pasi janë afruar lojtarë si Julian Brant nga Leverkuseni, Mats Humels nga Bajerni dhe disa të tjerë.

Sfidanti.al