Barça, duhet një plan për të gjetur 300 milionë euro për Nejmarin

Një “zë nga shkretëtira” mund ta ndihmojë. Në Angli, një media e njohur shkruan se Liverpuli është i interesuar për Usman Dembelenë, pikërisht për një lojtar të Barcelonës, që mund të kushtojë të paktën 100 milionë euro, në mos më shumë. Nëse kjo është e vërtetë (Liverpuli normalisht i ka paratë), atëherë katalanasit mund të kenë bërë gjysmën e punës për të zbatuar planin “Nejmar”.

Gjysma tjetër do të ishte një kalim i Filip Kutinjos diku tjetër, edhe ky një lojtar që do të kushtonte rreth 100 milionë euro apo më shumë. Së bashku me Kutinjon, mendohet transferimi në dalje i Ivan Rakitiçit, që padyshim do të sillte shumë më pak fitime, por gjithsesi, do të ishte një plus tjetër. Gjithashtu në Angli, shkruajnë se Mançester Junajtid po mendon për dyshen e mësipërme, Kutinjo-Rakitiç, nëse Pol Pogba kalon tek Reali.

Barcelona nuk mendon vetëm për Nejmarin, pasi në “horizont” është “silueta” e Antuan Grizmanit, edhe pse në “Kamp Nou” nuk pohohet asgjë. Sipas “Markës”, do të duheshin 300 milionë euro për operacionin “Nejmar”, por edhe nja 100 apo 120 milionë të tjerë për ish-sulmuesin e Atletikos. Nuk dihet nëse mund të gjenden të gjitha këto para, por Lionel Mesi, Suarezi dhe të tjerët e duan Nejmarin me këmbëngulje.

Sfidanti.al