Ka 100 gola si 20-vjeçar, por Mbape është tepër i acaruar!

Nuk pati mundësi të kënaqej shumë me një gol jubilar në karrierë. Kilian Mbape arriti në shifrën e 100 rrjetave ndonëse është vetëm 20 vjeç, por gazetarët nuk deshën t’ia dinin pas fitores së Francës në Andorrë, sepse kishin ardhur me pyetje të tjera shënuar në bllok. “A do të shkoni tek Reali i Madridit, këtë verë”, ishte pyetja që për sulmuesin e ri ishte si një “alergji”.

“Madridi, Madridi, vetëm Madridi, – tha Mbapeja, aspak i qetë, – nuk flisni për gjë tjetër përeçse për këtë. Nuk është momenti për të folur për këtë. Gjithnjë më pyesni vetëm për këtë, por nuk është momenti”. Futbollisti ndoshta e kupton që nuk ia kanë edhe aq fajin gazetarët, dhe shqetësimin e ka për faktin se nuk po mundet të largohet nga Paris SG.

Ai ka kontratë afatgjatë me klubin francez, dhe pa dëshirën e pronarëve të tij nuk mund të largohet, të paktën jo këtë verë. Vetë Reali, kërkon që Mbapeja të bëjë më shumë sesa ka bërë deri tani, pasi e quan të pamjaftueshme, por mesa duket kjo nuk mund të bëhet. E vetmja gjë që mund të bëjë Mbapeja është të tregojë nervozizmin që nuk po shkon në Madrid, siç e tregoi me sherrin ndaj gazetarëve francezë, pas fitores së Francës 4-0 në Andorrë për eleminatoret e Europianit.

Sfidanti.al