De Ligtit i “fryjnë në vesh” për Junajtidin, por Raiola qenka në Paris

Nuk do ta mendonte kurrë që në moshën 19-vjeçare do të ishte objekt i një konspiracioni me shumë të fshehta. Matijs De Ligt ka dy dëshira, të luajë në një ligë më të madhe sesa ajo holandeze, dhe të fitojë më shumë sesa tek Ajaksi, por rruga për të mbrritur deri aty qenka një labirinth. Zemra e tij thotë “Barcelona”, por agjenti i tij, Mino Raiola, ka plane të tjera, dhe për momentin thuhet se është në Paris. Pra, është tek Al Helaifi dhe Leonardo, tek PSG-ja. Kështu shkruajnë mediat italiane, kështu bëjnë jehonë edhe ato franceze apo spanjolle.

Në Angli, ndërkaq, i mbajnë “ison” shpresave të Mançester Junajtidit (jo të Liverpulit, për momentin). “Deili Meil” shkruan se De Ligtit i është thënë (nga cilët?) se edhe nëse do të zgjidhte “Old Trafordin”, Barcelona mund ta merrte më vonë. Pra, nuk do të ishte një “i burgosur luksi” si tek Paris SG, ku nëse kalon portën, është vështirë të dalësh jashtë. Për këtë, pyet Rabionë, Verratin, Mbapenë apo Nejmarin. Në Spanjë, ndërkaq, shkruajnë se Barcelona është duke arritur një akord për kapitenin e Ajaksit dhe një nga shtyllat e mbrojtjes së Holandës. Çfarë të besojë në këtë “mishmash”, njeriu i shkretë?!

Sfidanti.al