Zhoze Murinjo dhe Arsen Venger, dikur ndër trajnerët rivalë më të mëdhenj në Premier Ligë, shprehën konsideratat e tyre, pak a shumë të ngjajshme, për finalen e fundit të Ligës së Kampioneve mes Liverpulit dhe Totenhemit (2-0).
Sipas tyre, kjo finale ishte e dobët, pa ndonjë grintë të veçantë, ndërkohë që Livepuli ishte një ekip mesatar që sidoqoftë e fitoi këtë ndeshje, e cila ishte një nga finalet më pak interesante gjatë 10 viteve të fundit.
“Sikurse ndodh jo rrallë herë në rastin e finaleve të mëdha, fati i ndeshjes u vendos nga dy ndërprerje, një penallti dhe një korne. Unë kam mendimin se ne pamë një Liverpul që nuk u ngrit mbi nivelin mesatar, ndërkohë që Totemhemi mund të bënte edhe më shumë, por atij i mungoi grinta, dukej se ai nuk besonte se mund të fitonte”, deklaroi Vengeri.
Murinjo, nga ana tjetër, vuri në dukje se Liverpuli zhvilloi një lojë më shumë mbrojtëse. “Tre lojtarë luanin gjithnjë në vijën e fundit të mbrojtjes, të shkëputur nga të tjerët. Në fakt, Liverpuli luajti me shtatë lojtarë në bllok para portës së vet”, deklaroi Murinjo.